SOMA

Soma funksionon mbrenda nji hapsine e cila përpara âsht identifikue si Kryqi i Kuq në qytetin e Prishtinës,  pasi që e kemi marrë objektin dhe e kemi rikthy në funksion duke e ridestinu veprimtarinë në këtë koncept që sot as vet nuk dijmë si me e emnue. Me randësi âsht se forma, konstrukti dhe arkitektura e objektit ka mbetë ashtu si ka qenë dizajnu n’fillim.

Nga ana e jonë mendojmë se Soma âsht nji hapsinë me shumë funksione. Kemi pijet, ushqimin, librarinë, ekspozitat, pllakat, diskutimet që i mbajmë kohë-kohë me nji vullnet me e mbajtë qytetin n’vorbull t’vazhdueshëm të asaj që ne e emnojmë “Lojë”.

Sot punësojmë nji numër bukur të madh njerëzish me idenë se cdo punë e vogël apo detaj duhet t’merret parasyshë me randësinë ma t’madhe që secili prej nesh t’jemi mjaftueshëm t’knaqun me rutinën e lezetshme ditore.

Pijet

Në Soma kemi koleksion bukur t’madh të pijeve, gjithmonë jemi n’kërkim me shpikë shije të reja me fruta dhe erëza sezonale…, gjithmonë në lojë me i harmonizue alkoolet mes veti duke i prezantu n’atë formë që t’ofrojmë experience. Si qëndrim radikal e pranojmë se asnji pikë ujë nuk mundet me ndodhë sikur mos t’a kishim muzikën, filmin, teatrin e letërsinë në kokë parase t’fillojmë me e ndërtu cfarëdo pije, n’vecanti kur ajo pije ka alkool.

Librat

Librat në Soma, përzgjedhja e tyne, kujdesi ndaj tyne t’kapë synin veç atëherë kur ato hapen për lexim. Kështuqë na e kemi mendue se cdonjëri me interesim për librat duhet t’ketë çasje në përmbajtjen e tyne të pafund.

Atëherë, librat në Soma nuk shiten, vecse cdo kush mundet me i huazu për lexim vetëm me 1.00Euro.

Pllakat

N’Soma besojmë se muzika âsht vakia ma e mirë që i ka ndodhë njerëzimit dhe që vazhdon me kenë subjekti ma i shëndoshë shoqnor. Kështuqë këtupari i kushtojmë randësi t’veçantë muzikës dhe mundohemi me e ofru ate në formën ma t’mirë të mundshme. Për këtë arsye si medium i kemi zgjedhë Pllakat e gramafonit shkaku se besojmë në audio kualitetin e tyne. Nuk ka lidhje sa Pllaka i kemi në koleksion ose sa copë i shesim në ditë…, cka ka randësi asht kualiteti që kemi në kutinë e pllakave.

Në përzgjedhjen tonë mundeni me e gjetë Sun Ra, Thelonious Monk, Chet Baker, Sonny Rollins, The Cramps, Captain Beefheart, The Pogues, The Fall etjetjetj.

Eventet

Rezervimet